Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas miratimit të propozimit francez në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, Berisha e ka konsideruar një vendim historik me të cilin zhbllokoi hapjen e negociatave me BE për të dy vendet.

“Lidhur me votimin e propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut! Të dashur miq, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut miratoi propozimin e Francës që i hap rrugën çeljes se negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian. Me këtë rast Partia Demokratike e Shqipërisë përgëzon Parlamentin e vendit fqinj, dhe përshëndet vendimin e guximshëm dhe historik që mori sot, me të cilin zhbllokoi hapjen e negociatave me BE për të dy vendet tona. Hapjen e negociatave për Shqipërinë me BE, të bllokuara prej 6 vitesh, dhe pasi ato u shtynë 5 herë, për shkak të mosplotësimit të kushteve nga qeveria Rama, dhe vitin e fundit për shkak të bllokimit nga Bullgaria të Maqedonisë së Veriut për zgjedhjen e kundërshtive midis këtyre vendeve, Partia Demokratike e konsideron si një zhvillim të lidhur kryesisht me dëshirën fisnike të BE dhe vendeve anëtare për të garantuar perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perendimor, pavarësisht se, siç sanksionon rezoluta e Parlamentit Europian, Shqipëria ka probleme të mëdha me standardet, kushtet dhe kriteret e BE. Me këtë rast PD garanton shqiptarët dhe BE, Komisionin Europian dhe vendet anëtare të BE, se do mbështesë, dhe, nesër në pushtet, do të marrë e miratojë çdo ligj, akt e vendim për plotësimin, kapitull për kapitull, e kërkesave të negociatave me BE, dhe për të bërë realitet anëtarësimin e Shqipërisë në BE, si të ardhmen më të shkëlqyer për Shqipërinë dhe shqiptarët”, shkruan Berisha.

Artikulli paraprakMETA REAGON PAS VENDIMIT MAQEDONAS: HAPET RRUGA E INTEGRIMIT, VENDIMMARRËSIT SHQIPTARË DUHET TË KTHJELLOHEN MIRË…
Artikulli tjetërBILANCI I COVID NË VEND, MINISTRIA E SHËNDETËSISË PUBLIKON SHIFRAT: 1326 QYTETARË TË INFEKTUAR DHE ASNJË HUMBJE JETE NË 24 ORË