Rikthehen reshjet intensive në veri të vendit gjatë së premtes

Rikthehen reshjet e dendura në veri të vendit gjatë pasdites së të premtes. Instituti i Gjeoshkencave bën me dije se reshjet intensive do të përfshijnë veriun e vendit të shoqëruara me breshër dhe erë të fortë. Marku: Të premten në mbrëmje ne presim që reshjet të intensifikohen në veri, por gjithsesi edhe me këtë intensifikim ato reshje do të jenë më të pakta se dita e martë. Ishin maksimumi i reshjeve të kësaj jave. Reshjet e ditës së premte në mbrëmje do të vazhdojnë përgjatë të natës dhe paradites së ditës së shtunë duke u zhvendosur drejt qendrës dhe jugut të territorit. Ndërkohë fundjava do të ketë përmirësim të kushteve atmosferike çka do të sjellë ndërprerje të reshjeve dhe ulje të temperaturave Marku: Një përmirësim i kushteve atmosferike duke filluar nga fundi i ditës së shtunë dhe ditës së diel. Ky pakësim i reshjeve tashmë është reflektuar edhe tek gjendja e lumenjve që po shkojnë drejt normalizimit. Sipas Institutit të Gjeoshkencave reshjet e rëna gjatë kësaj jave kanë pasur një intensitet mjaft të lartë dhe jo normal për periudhën.