
Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e së shtunës në fshatin Barbullush, në bashkinë Vau i Dejës. Sipas të dhënave paraprake, ngjarja ndodhi pas një konflikti të çastit mes disa personave, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.
Sipas informacioneve paraprake, njëri prej të përfshirëve në konflikt, gjatë largimit nga vendi i ngjarjes, ka qëlluar me armë zjarri në ajër dhe më pas është larguar.
Për ngjarjen ka reaguar edhe Policia e Shkodrës, e cila bën me dije se njoftimi është marrë rreth orës 22:15.
“Në fshatin Barbullush, Vau i Dejës, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit mes disa shtetasve, njëri prej tyre, gjatë largimit nga vendi i ngjarjes, ka qëlluar me armë zjarri në ajër. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe po vijojnë kontrollet intensive në zonë, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen të gjitha veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit.
https://youtu.be/VS6zmNyb-ZU






