Tetë persona u konfirmuan të vrarë dhe gjashtë të plagosur nga të shtënat në kampusin e një universiteti në qytetin rus të Perm. Autori i krimit u kap nga policia. Njerëz të tmerruar u filmuan duke ikur nga një ndërtesë përmes dritareve.

Incidenti ndodhi në Universitetin Shtetëror të Perm, një nga universitetet më të vjetër në Urals. Mediat sociale të shkollës të hënën në mëngjes paralajmëruan të gjithë ata që ishin në kampus të largoheshin nëse ishte e mundur, ose të mbylleshin brenda një dhome.

Sulmi përfundoi me kapjen e autorit, njoftuan autoritetet e universitetit dhe policia. Sipas disa mediave, ai u plagos nga policia.

Hetuesit thanë se sulmuesi është student në këtë universitet. Raportet e mëparshme të pakonfirmuara e identifikuan atë si një 18-vjeçar të quajtur Timur Bekmansurov, i cili dyshohet se bëri komente në rrjetet sociale, ku përshkruante motivet e tij për këtë sulm ekstrem.

“E urrej veten, por dua të lëndoj këdo që më pengon. Alarmi u bë edhe më e fortë, si një vezë që më godet kokën. Ndjenja se gjithçka përreth është vetëm një ëndërr nuk zhduket. Unë nuk shoh asnjë arsye për të shkruar diçka tjetër. Në fund, mund të them se nuk jam i pari dhe as i fundit . Nuk do të shpëtoni nga arma, bombat, thikat, gjithçka që ju vjen në mend. Njerëzit si unë do të shkatërrojnë gjithçka përreth jush,” u citua autori nga mediat.