Të shtënat me armë në rrugën “Bardhyl”, sherri masiv në një lloto sporti

Policia zbardh ngjarjen në rrugën “Bardhyl” në kryeqytet, ku gjatë mbrëmjes së djeshme pati të shtëna me armë zjarri. Sikundër edhe në Elbasan, konflikti ka ndodhur në një pikë bastesh sportive. Policia ka vënë në pranga një person, i cili u kap në flagrancë me pistoletë, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. I arrestuari është shtetasi Sandër Dapaj, 37 vjeç, banues në Tiranë, ( i dënuar më parë), i cili është kapur në flagrancë në vendngjarje me armë zjarri të llojit “Beretta”. Në kërkim u shpall pronari i lokalit lloto sporti, shtetasi K. S., 44 vjeç, banues në Tiranë. Sherr masiv në lloto sport Policia thotë se Dapaj dhe K.S më datë 26.09.2017, rreth orës 22:10, në rrugën “Bardhyl”, në lokalin baste sportive në pronësi të këtij të fundit janë përfshirë në një konflikt për motive të dobëta me shtetasit G.S 35 vjeç, E. O 35 vjeç (i dënuar më parë ), Sh. F 32 vjeç, E. B 36 vjeç dhe O. Xh 46 vjeç , të gjithë banues në Tiranë. Si pasojë e konfliktit të ndodhur shtetasi Sandër Dapaj, ka qëlluar në ajër me armë zjarri të llojit “Beretta”. Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e basteve, i cili rezultoi pa licencë, janë gjetur dhe sekuestruar njësi kompjuteri për vendosjen e basteve sportive dhe televizora plazma. Policia vijon punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje. Materialet ju referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasve S.D., dhe K.S., për veprat penale “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake”, “Prishja e qetësisë publike”, “Organizim i llotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozivion e lokaleve për lojëra fati”, ndërsa për shtetasit G.S., E.O., Sh.F., E.B., dhe O.Xh., për veprën penale “Prishjes e qetësisë publike”. Materialet e sekuestruara në cilësinë e provës materiale – armë zjarri e llojit “Beretta” – 6 gëzhoja – 4 televizorë plazma – 2 njësi kompjuteri