Dy të rinj nga fshati Pojan i Maliqit janë arrestuar. Një prej tyre akuzohet se ka qëlluar me armë zjarri natën e Vitit të Ri, ndërsa tjetri si posedues pa leje i armës. Enea Leke, 25 vjeç dhe Lion Kondi, 22 vjeç, të dy banues në fshatin Pojan, janë vënë sot në pranga.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, në rrugë policore kanë siguruar informacione se gjatë natës së ndërrimit të viteve në fshatin Pojan, është qëlluar me armë zjarri në ajër. Nga puna hetimore e kryer, u bë e mundur identifikimi i autorëve të dyshuar ku ka rezultuar se ka qenë shtetasi Enea Leke, i cili ka qëlluar me armë zjarri në ajër, gjatë festave të fundvitit, njofton Policia. Arma e zjarrit tip pushkë model 56 posedohej nga Lion Kondi. Gjatë kontrollit të banesës së këtij të fundit, iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip pushkë si edhe një armë gjahu teke, të cilat i posedonte pa lejen e organeve përkatëse.

Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale: “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”; “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” parashikuar nga nenet 278 e 280 të Kodit Penal.