I ashtuquajturi “gjyqi i të verbërve që shihnin”, në ishullin Hios të Greqisë, ka përfunduar me dënimin e dhjetëra personave nga ana e trupit gjykues.
120 persona, shumica të moshuar, nga 460 gjithsej që merrnin pensionin e të verbërit, janë konsideruar fajtorë dhe 79 prej tyre janë dënuar nga drejtësia greke me 6 muaj burgim me kusht, ashtu si dhe mjekja e spitalit që është dënuar me 4 vite e 6 muaj heqje lirie, në lidhje me skandalin e bujshëm të dhënies së pensioneve të të verbërve në bazë të raporteve të rreme mjekësore. Për 20 të tjerë, të cilët nuk janë më në jetë, dënimet janë anuluar. Para vitit 2012, në këtë ishull ishin bërë më shumë se 2.000 kërkesa për pensionin e të verbërit, ndërsa ishin aprovuar mbi 450 prej tyre. Por komisioni i dytë mjekësor, që ka bërë kontrollin përkatës, ka gjetur se ata që duhej të merrnin pensionin në fjalë ishin vetëm 230 vetë, duke e çuar çështjen te drejtësia greke. Ky është gjyqi i dytë që bëhet në Greqi, në lidhje me marrjen e pensioneve për të verbërit me raporte të rreme mjekësore. Në ishullin e Zakintos, 700 personave përfitues u ishte kërkuar para dy vitesh të kalonin për së dyti para një komisioni të ri mjekësor. Por vetëm 100 prej tyre u paraqitën dhe vetëm 70 u ekzaminuan se ishin me të vërtetë të verbër.