Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, është thirrur sot në interpelancë në Kuvend për shembjen e Teatrit Kombëtar.

Nga foltorja e Kuvendit, ministri Lleshaj theksoi se policia nuk shkoi me iniciativën e saj te teatri, por u thirr në përmbushje të detyrimit të saj ligjor.

“Më 17 maj policia u thirr nga IKMT e Tiranës, për të liruar një pronë në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Kishte 27 muaj që kjo godinë ishte uzurpuar nga persona që nuk kishin asnjë tagër ligjor mbi të. Policia vajti e thirrur nga autoriteti pronar i godinës”, tha Lleshaj.

Pjesë nga interpelanca:

Lleshaj: Unë jam me qytetarët dhe me policinë, përballë atyre që i kundërvihen ligjit. Kam mirëkuptim të plotë për të gjithë ata që u shqetësuan nga zhvillimet e datës 17 maj 2020, zhvillime të cilat i dhanë fund me zhurmë historisë së pafatë të godinës së Teatrit Kombëtar.

Nuk kam ndërmend që në këtë interpelancë të harxhoj kohën me çështje që kanë të bëjnë me arkitekturën. Dua të them me keqëardhje kam konstatuar se dhe historia e godinës së teatrit, ashtu si shumë të tjera, degradoi që në ditët e para të saj, në një sherrnaj të rëndomtë politike.

Policia nuk shkoi me iniciativën e saj në mjediset e teatrit, por u thirr në përmbushje të detyrimit të saj ligjor.

Policia ka detyrë t’iu përgjigjet këtyre thirrjeve. Policia nuk shkoi si palë, por si autoritet ligjzbatues, i thirrur për të zbatuar një vendim të ligjshëm. Të shqetësuarit duhet të dinë se policia në Shqipëri dhe çdo vend demokratik të botës nuk e ka luksin të bëjë vetë ligjin, por ka detyrë ta zbatojë atë.

Në thelb, ligji e detyron policinë të përgjigjet ndaj kërkesave të cdo pronari, nëse prona e tij është zaptuar në mënyrë të paligjshme. Më 17 maj policia u thirr nga IKMT e Tiranës, për të liruar një pronë në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Kishte 27 muaj që kjo godinë ishte uzurpuar nga persona që nuk kishin asnjë tagër ligjor mbi të. Policia vajti e thirrur nga autoriteti pronar i godinës.

Çfarë alternativash kishte policia?

Kishte vetëm dy, ose të shkonte e t’i përgjigjej kërkesës së bashkisë për mbështetje, ose ta refuzonte atë. Pra, të zbatonte një detyrim ligjor, ose të mos e zbatonte atë. Policia zgjodhi të parën. Besoj se të gjitha thirrjet ndaj policisë për të braktisur detyrën, janë një ndër problemet e mëdha, me të cilët duhet të merremi seriozisht.

Thirrjet për të hedhur kapelet dëshmojnë sa lart jemi ne me parimet e funksionimit normal të shtetit. Pas 30 vitesh ka ardhur koha të kuptojmë disa parime elementare: së pari është ‘jo dhunë’. Asgjë nuk arrihet me dhunë. Besoj se edhe po të jetonte sot At Gjergj Fishta, do na i përsëriste akoma disa gjëra, që i ka shkruar që kur përpiqej t’ua mësonte shqiptarëve ‘a, b, c’.

Artikulli paraprakNASA FOTOGRAFON NJË VORBULL NË MES TË LIQENIT TË SHKODRËS
Artikulli tjetërOPERACIONI ITALI-SHQIPËRI, POLICIA: KAPEN NË SHKODËR E CËRRIK 2 ANËTARËT E GRUPIT KRIMINAL