
Në skenën e Teatrit “Migjeni” në Shkodër është shfaqur premiera e veprës “24 orë nga jeta e një votuesi”, një satirë politike në formën e kabaresë që trajton me humor dhe ironi raportin e qytetarit me votën.
Shfaqja ka në qendër një personazh që prej 35 vitesh heziton të votojë, duke ngritur pikëpyetje mbi pjesëmarrjen qytetare dhe përgjegjësinë individuale. Në rolin kryesor interpreton Arben Derhemi, ndërsa përkrah tij ngjitet në skenë Zamira Kita, me personazhin e “Revolucionare”, nënën e protagonistit, një figurë e krijuar posaçërisht për këtë produksion.
Një element i rëndësishëm i veprës është poema satirike e Teodor Keko, e shkruar në vitin 1996, e cila shndërrohet në refrenin kryesor të shfaqjes dhe i jep asaj një dimension të theksuar kritik.
Përmes ndërthurjes së komedisë, muzikës dhe satirës, shfaqja sjell në vëmendje 24 orë nga jeta e një votuesi shqiptar, por përtej kësaj dite të vetme pasqyrohen vite të tëra paradoksesh dhe absurditetesh të realitetit shoqëror






