Kanadaja është përfshirë nga një valë nxehtësie me temperatura që kanë arritur deri në 49.5 gradë për tre ditë radhazi. Temperaturat e larta kanë shkaktuar mbi 130 viktima që nga dita e premte.

Kjo javë ka shënuar një rritje të ndjeshme të temperaturave, duke e krahasuar me temperaturat e kësaj peridhe kohore që nuk i kanë kaluar 45 gradë.

Viktimat kanë qenë kryesisht të moshuar ose persona me probleme shëndetësore.

Sipas raportimeve të policisë, vetëm në zonën e Vancouver janë regjistruar 65 viktima, në Burnaby 34 viktima dhe në Surrey 38 viktima.

“Vancouver nuk ka provuar kurrë nxehtësi si kjo, dhe fatkeqësisht dhjetëra njerëz po vdesin për shkak të saj. Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për t’i mbajtur njerëzit të sigurt. Telefonatat e qytetarëve për vdekjet e papritura në qytet janë trefishuar”, u shpreh një polic për mediat e huaja.