Një tjetër incident i rrezikshëm është regjistruar ditën e djeshme mes Turqisë dhe Greqisë, mbi një nga ishujt grekë të Egjeut.

Ministria greke e Mbrojtjes ka bërë të ditur paraditen e sotme se forcat ushtarake kanë ndërhyrë për të penguar fluturimin e një avioni turk pa pilot, të ashtuquajtur dron spiun

Droni në fjalë është prodhim turk dhe ka shkelur hapësirën ajrore greke në mesditën e së enjtes në rajonin Dodekanisa më shumë se dy herë, shkruajnë mediat greke.

Sapo ai është zbuluar nga radarët e ushtrisë, është ndjekur dhe është interceptuar nga dy avionë ushtarakë F16 të flotës greke.

Avioni pa pilot, që është ngritur nga baza ushtarake turke e Dalamës, është i destinuar për misione zbuluese me synim mbledhje informacionesh si dhe fotografime të zonave të caktuara.

Ngjarja ka ndodhur vetëm disa ditë pasi Ankaraja ka deklaruar se ka futur në arsenalin e saj ushtarak avionë të tillë.