Janë rikthyer tensionet në veri të Kosovës, këtë të mërkurën, më 13 tetor, ku qytetarët po kundërshtojnë një aksion të Policisë së Kosovës kundër kontrabandës së mallrave.

Kundërshtia e aksionit policor është agravuar në protestë nga serbët duke bërë që të digjet edhe një automjet i policisë.

Si pasojë, mediat vendase bëjnë me dije se deri më tani gjashtë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pasi kanë kundërshtuar aksionin policor.

Kryesisht dëmtimet e këtyre personave mësohet se janë nga bomba zhurmuese dhe gaz lotsjellës.

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë, që gjenden në Mitrovicën e Veriut po raportojnë se në këtë komunë gjatë gjithë kohës po dëgjohen sirenat e kamionëve të zjarrfikësve dhe autoambulancave.

Qytetarët e veriut janë zgjuar nga zhurma e sirena e emergjencave, ndërsa Policia e Kosovës ishte duke zhvilluar aksionin anti-kontrabandës.

Në Mitrovicë të Veriut turmat pothuajse janë shpërndarë, ndërkaq aksioni i Policisë vazhdoi edhe në Zveçan.