Elisa Spiropali ka reaguar lidhur me tensionet e ndodhura sot tek paralamenti. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo u shpreh se dhuna dhe shkatërrimi nuk mund t’i imponohen dot kurrë Kuvendit të Shqipërisë si të drejta demokratike të askujt.
Postimi i plotë:
Mosbindja civile është një nga krijimet më të bukura të angazhimit qytetar e politik në historinë e njerëzimit. Thelbi i saj i pandryshueshëm, qysh me Sokratin në Greqinë e Lashtë, i cili predikonte vënien në pikëpyetje të së drejtës morale të autoriteteve për një ligj të padrejtë, e deri tek Mahatma Gandi. Ai e gjunjëzoi Perandorinë Britanike, duke u ulur i pari në gjunjë derisa me miliona vetë u ulën pas tij në rrugët e Indisë. Ballë për ballë grykëve të pushkëve të batalioneve të regjimit kolonial. I cili hapte zjarr në trupat e tyre dhe të mosbindurit civilë nuk lëviznin nga vendi, është refuzimi absolut, i dhunës si mjet për imponimin e një të drejte të mohuar.
Beteja të tëra epike të njerëzimit për heqjen e skllavërisë, të drejtën e votës për gratë, anullimin e ligjeve raciste, fundin e aparteidit në Afrikën e Jugut, u furnizuan me energjinë e pandalshme morale dhe rezistencën e hekurt shpirtërore të mosbindjes civile. Mosbindja civile e përjashton kategorikisht ngritjen e dorës për të demonstruar forcë dhe synon krijimin e një kontrasti moral paralizues, mes trupave të protestuesve paqësorë dhe korpusit të një padrejtësie shtetërore të perceptuar si të tillë nga shoqëria. Mosbindja civile mishërohet nga individë që i kundërvihen ligjërimit të një padrejtësie, duke marrë përsipër ta thyejnë paqësisht ligjin e padrejtë dhe duke pranuar paqësisht pasojën personale të shkeljes së atij ligji. Mosbindja civile përmes guximit po edhe sakrificës vetjake, i kontribuon arritjes së zgjidhjes me drejtësi, jo përmes dhunës, po përmes masivizimit të ndjeshmërisë popullore që në fund ia del ta imponojë të drejtën e mohuar, si një lloj shah mati për autoritetet.
Kjo është, me fjalë të shkurtra, përmbajtja e konceptit të mosbindjes civile dhe kështu e ka çarë rrugën e historisë forca krijuese e mosbindjes civile, në një sërë ngjarjesh të jashtëzakonshme politike e shoqërore për liritë e të drejtat njerëzore. Asgjë më e largët me përmbajtjen e thellë morale dhe formën cfilitëse të durimit të mosbindjes civile, nuk mund të imagjinohet dot, se sa përçudnimi i dhimbshëm i opozitarizmit politik e mediatik të kësaj vjeshte.
Keqardhje e madhe!
Por sidoqoftë, forca e dhuna fizike, përplasjet trupore, kërcënimet verbale, djegia e shkatërrimi, apo çfarëdo shprehje e përfshirë së fundmi nga opozitarët tanë në konceptin e “Mosbindjes Civile”, nuk mund t’i imponohen dot kurrë Kuvendit të Shqipërisë si të drejta demokratike të askujt.