Tenton të vrasë me sëpatë bashkëjetuesin 18 vjet më të madh

Një 26 vjeçare tentoi të vrasë me sëpatë bashkëjetuesin e saj. Ngjarja është shënuar në fshatin Pojan të Maliqit. Policia u njoftua me një telefonatë për konflikin që kishte në banesën e Vjollca Shkëmbit dhe arriti të parandalonte krimin e rëndë. “Nga kryerja e veprimeve hetimore rezultoi se shtetasja Vjollca Shkëmbi, pas një konflikti për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me mjet të mprehtë (sopatë), bashkëjetuesin e saj shtetasin N.K, 44 vjeç, banues në Sheqeras-Maliq, të cilit i ka shkaktuar plagë të lehta në trup. Pas mjekimit të marrë në Spital ky i fundit është larguar në banesë” informon policia e Korçës. Ngjarja është shënuar më 4 maj 2017. Në cilësinë e provës materiale në banesë u gjet dhe sekuestrua mjeti me të cilin është goditur N.K. Vjollca Shkëmbi, u arrestua në kushtet e flagrancës për veprën penale : “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” mbetur në tentativë parashikuar nga nenet 79/c dhe 22 i Kodit Penal. Materialet për hetime të mëtjeshme i kaluan Prokurorisë të Krimeve të Rënda në Tiranë.