Tërmeti i regjistruar mbrëmjen e djeshme në Pukë ka shkaktuar disa dëmtime në disa ndërtesa në qytet.

Bashkia Pukë bën me dije se, si pasojë e lëkundjes 4.6 ballë, janë shkaktuar dëme te disa pallate te lagjja e muzeut, ku raportohet për plasaritje dhe dëmtime në oxhaqet e ndërtesave. Po ashtu dëmtime të lehta ka pësuar edhe spitali i qytetit, plasaritje dhe rënie të suvasë.

“Bashkia Pukë po ndërlidhet për pasojat e kësaj situate. Deri tani nuk kemi informacione për pasoja fatale, ndërkohë që janë porositur administratorët dhe kryepleqtë e fshatrave të interesohen për pasoja të mundshme pas kësaj situate. Deri tani janë konstatuar dëme tek disa pallate tek lagjja e muzeut, dhe 5 pallatet, ku sipas raportimit të banorëve ka plasaritje, ndërkohë janë të dukshme dëmtimet në oxhaqet e pallateve. Plasaritje dhe rënie suvash ka dhe në spitalin e qytetit. Inkurajojmë të gjithë banorët të rimarrin veten me shpresën se nuk do kemi paslëkundje dhe për çdo shqetësim të informojnë në numrat pa pagesë 128 ose 129”, njofton Bashkia.

Tërmeti u regjistrua mbrëmjen e djeshme, duke shkaktuar frikë e panik te banorët. Lëkundja ishte me epiqendër 12 km nga qyteti i Pukës, ndërsa thellësia e saj ka qenë 10 km.

Kujtojmë që edhe pak ditë më parë në shumë qytete të vendit tonë u ndjenë lëkundje tërmeti, ndërsa epiqendra ishte 2 km në perëndim të Follorinës, Greqi.