Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.8 rihter ka goditur Turqinë lindore mbrëmjen e të premtes. Deri më tani sipas Ministrit të Brendshëm të Turqisë, janë shënuar të paktën 21 viktima , ndërkaq mbi 100 banesa janë të rrënuara duke lënë pas mijëra të plagosur.

Epiqendra e këtij tërmeti të fortë ka qenë pranë zonës së quajtur Elazig, ku u shënuan edhe më shumë viktima dhe dëmet e mëdha materiale. Thellësia e këtij tërmeti ka qenë 6.7 km, ndërsa lëkundja është shënuar në orën 17:55.

Prej disa ditësh Turqia goditet nga lëkundjet e tërmetit, por intensiteti i tyre ka qenë shumë më i ulët sesa sot. Turqia është prekur nga tërmeti edhe gjatë ditës së mërkurë (22 Janar) në provincën perëndimore të Manisa ku u regjistrua magnituda 5.4 ballë. Me anë të një deklarate, kryetari i bashkisë së Elazig tha se të gjitha ekipet e emergjencave janë në gatishmëri dhe po punojnë për të shpëtuar personat që mund të kenë mbetur nën rrënoja.

Ndërkohë në këtë qytet dhe në zonat përreth vijojnë paslëkundjet e vazhdueshme.

Dridhjet janë ndjerë në Irak, Siri, Liban dhe Izrael, ndërsa banorët kanë ndarë pamjet e ndërtesave që dridhen në qytete të ndryshme. Ky nuk është tërmeti i parë që godet Turqinë, pasi një tjetër tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.0 goditi provincën Elazig në 2010 duke lënë pas 51 viktima.

Presidenca e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) tha se viktimat janë gjetur nën rrënoja në provincën Elazig, në Malatya dhe në Dijarbakir, në juglindje të Turqisë. Gjysmëhëna e Kuqe turke njoftoi se ishte vendosur një tavolinë krize në Ankara, dhe ekipet e shpëtimit u dërguan në zonat e goditura nga tërmeti. Po ashtu, janë dërguar kuzhina të lëvizshme, të cilat shërbejnë deri në 5,000 njerëz.

Artikulli paraprakTËRMETI TRAGJIK, ERDOGAN: UROJ MËSHIRË NGA ZOTI PËR VËLLEZËRIT QË HUMBËN JETËN, JEMI NË GATISHMËRI TË PLOTË
Artikulli tjetërTËRMETI NË TURQI, REAGON POLITIKA SHQIPTARE, RAMA: E TRISHTUESHME FATKEQËSIA QË RA MBI TA