Numri i viktimave nga tërmeti tragjik në Shqipëri vazhdon e rritet çdo ditë e më shumë. Aktualisht janë 40 viktima të konfirmuara që kanë humbur jetën nën rrënojat në Durrës dhe Thumanë. Grupet e kërkim-shpëtimit janë të angazhuar maksimalisht për të gjetur sa më shumë trupa dhe për të shpresuar deri në fund për të mbijetuar ndërsa vijojnë të jenë të angazhuar edhe ekipet ndërkombëtare sepse vazhdon të ketë informacion se janë edhe rreth 15 persona nën rrënoja që pritet të nxirren.

Gjatë ditës së sotme janë zhvilluar disa prej ceremonive mortore të personave që humbën jetën duke shkatuar një dhimbje të papërshkrueshme tek të afërmit e tyre por edhe gjithë qytetarët e tjerë. Po ashtu është rritur edhe numri i të plagosurve mbi 670 persona të cilët po marrin mjekim në spitale dhe qendra të ndryshme shëndetësore nga grupet mjekësore të ardhur nga e gjithë Shqipëria.

Ndërkohë frika nga tërmetet vazhdon që të jetë e madhe. Një tjetër tërmet ditën e sotme ka lëkundur Tiranën por edhe zona të tjera ndërsa është ndjerë edhe në qytetin e Shkodrës, një tërmet 5.1 ballë i shkallës Rihter që fatmirësisht ka zgjatur shumë pak. Spitali i Durrësit ka pësuar dëme ndërsa në momentin e tërmetit mjekë, infermier dhe qytetarët kanë dalë me shpejtësi të frikësuar.

Në total janë mbi 800 lëkundje që pas tërmetit të 26 nëntorit ndërsa vetëm gjatë natës janë shënuar 21 lëkundje sipas të dhënave të IGJEUM, duke bërë që të gjithë të jenë ende të alarmuar nga tërmetet. Kryeministri Edi Rama në mëngjes zhvilloi një mbledhje qeverie duke thënë se të gjithë të prekurit nga tërmeti do të trajtohen me solidaritet dhe vëmendje maksimale.

Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut përmes një deklarate ka bërë të ditur se po verifikohen ashensorët në të gjithë pallatet ndërsa kanë bërë thirrje që askush të mos përdor ashensorët. Një tjetër kamp me 70 çadra për të pastrehët është ngritur nga Ministria e Mbrojtjes në Fushë-Krujë ndërkohë që shumë prej familjeve të prekura vijojnë të jenë në çadrat e tjera në Durrës dhe Thumanë.

Situata nga tërmeti i 26 nëntorit vazhdon të jetë e frikshme dhe shumë qytetarë ndodhen në panik pavarësisht ndihmave dhe sensibilizimit të madh brenda dhe jashtë Shqipërisë për t’iu gjendur pranë këtyre familjeve.