Propozimi i socialistëve për hartën e re territoriale ishte një raport që s’mund të paraqitej në komision, tha Sali Berisha, por u prezantua në parlament.

Në konferencën për shtyp, kreu i PD tha se Edi Rama kuptoi që ishte “betejë e humbur” dhe “u tërhoq në mënyrë të njëanshme.” Shkrirjen e 15 bashkive Berisha e quajti qëllim shpopullimi e pasurimi të kryeministrit.

“Edi Rama e kuptoi se e ka betejë të humbur. E kuptoi se reforma territoriale ka ngjallur një pakënaqësi të madhe dhe se kudo që shkuan në konsulta, u mbështetën sugjerimet dhe qëndrimet e përfaqësuesve të PD. U tërhoq në mënyrë të njëanshme, të padenjë, paraqiti në parlament një raport që nuk u paraqit në komision, që nuk mund të paraqitej kurrë në parlament, dhe e publikoi atë në të cilin tregon se në krimin e tij monstruoz kundër shqiptarëve nuk ndalet, do të heqë edhe 15 bashki të tjera, të reduktojë numrin e bashkive në vendin më malor të Evropës. Në vendin që 80% të sipërfaqes e ka male dhe kodra, ta përqendrojë në pëllëmbën e tij të zezë të dorës vetëm për qëllime shpopullimi, për qëllimi pasurimi”, tha Berisha.

Ai përgëzoi edhe banorët e Poliçanit për protestën e tyre në përgjigje të draftit të PS për ‘Territorialen’ duke nxitur edhe banorët e bashkive të tjera të ndjekin të njëjtin shembull.

Drafti i PD parashikon ndarje me 100 bashki, 12 qarqe dhe 6 rajone. Sipas tij, shtimi i bashkive do të sjellë më shumë shërbime cilësore për qytetarët dhe menaxhim më të mirë të territorit. 39 njësi vendore të reja shtohen kryesisht në qarqet Fier, Tiranë dhe Lezhë.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakNË SAMITIN E NATO-S NË TIRANË EDHE TRUMP, RAMA: MBROJTJE ME DRONË INTELIGJENTË, KEMI POROSITUR MBROJTJEN MË TË SOFISTIKUAR KUNDËRAJRORE
Artikulli tjetërKONSULLATË SERBE NË SHKODËR, QYTETARËT TË PAINTERESUAR