Terrorizmi e projekti i parandalimit nënshkruhet Memorandumi

Ministria e Drejtësisë, Koordinatori Kombëtar për Çështjet e Radikalizmit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri nënshkruan sot në Tiranë një memorandum mirëkuptimi për zbatimin e projektit “Parandalimi dhe luftimi i radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm që çojnë në terrorizëm (VERLT) në burgje dhe në shërbimin e provës (Faza I)”. I financuar nga Kryesia Austriake e OSBE-së, Mbretëria e Suedisë dhe Republika Federale e Gjermanisë, projekti ka për synim të mbështesë Shqipërinë në krijimin e një themeli të fortë për ndërhyrje efektive dhe të bazuara në të drejtat e njeriut që synojnë parandalimin dhe luftimin e VERLT në burgje dhe në shërbimin e provës në Shqipëri. Në një ceremoni të mbajtur në Ministrinë e Drejtësisë, Memorandumi i Mirëkuptimit u nënshkrua nga Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Bernd Borchardt, Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjona dhe Koordinatori Kombëtar për Çështjet e Radikalizmit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm Agron Sojati. Memorandumi ka për synim lehtësimin e bashkëpunimit, mbështetjes dhe mirëkuptimit të ndërsjellë mes institucioneve nënshkruese në kuadrin e zbatimit të projektit. Nga faza e parë e projektit do të përfitojnë partnerët kryesorë të projektit — Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës në Ministrinë e Drejtësisë. Përfitues të tjerë të projektit përfshijnë policinë, gjykatësit, prokurorët, personelin e burgjeve, nëpunësit e shërbimit të provës, politikëbërësit dhe profesionistët e përfshirë në rehabilitimin dhe riintegrimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve. Projekti do të përqendrohet në tri komponentë kryesorë të ndërlidhur, duke përfshirë vlerësimin e nevojave, trajnimin e stafit dhe rritjen e shkëmbimit të informacionit, si dhe ndarjen e praktikave të mira mes autoriteteve shqiptare dhe homologëve ndërkombëtarë dhe rajonalë. Ky projekt do të plotësojë dhe intensifikojë përpjekjet aktuale të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri në mbështetje të Qeverisë Shqiptare në luftën kundër ekstremizmit dhe radikalizimit të dhunshëm që çojnë në terrorizëm .

Artikulli paraprakRAMA: PO SHIKOHET MUNDËSIA PËR SHKARKIMIN E KRYEBASHKIAKUT TË PD
Artikulli tjetërNEGOCIATAT, RAMA: KAPITULL TË RI NË MARRËDHËNIET ME GREQINË