Thaçi: Dialogu në pikën finale. Kosova do respektojë zotimet e saj

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një deklaratë për mediat një ditë pas takimit të Brukselit ka deklaruar se, dialogu është në rrugën e duhur për gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare. “Dialogu ka arritur në pikën finale. Ky proces është një garanci për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, ka deklaruar Thaçi. Ai ka theksuar se, Kosova kërkon paqe, stabilitet dhe mirëkuptim dhe ka shprehur shpresën që këtë vullnet ta ketë edhe Serbia. “Kosova do t’u përmbahet zotimeve të saj. Shpresoj se edhe Beogradi do të respektojë zotimin për uljen e tensioneve dhe shmangien e veprimeve provokuese ndaj Kosovës”, ka shtuar Thaçi. I pyetur nga mediat se si do të veprohet nëse verifikohet sërish një provokim si ai me trenin serb, presidenti është përgjigjur: “Kosova është shtet sovran dhe do të veprojë sipas Kushtetutës së saj”.