Banorët në kufirin e Gjeorgjisë i frikësohen një pushtimi rus.

The Times sjell një pasqyrim të gjerë të situatës, jetesës së banorëve dhe frikës se vendi i tyre mund të bëhet shënjestër e sulmeve.

Natia Parchukashvilit është banore e cila shpreh shqetësimin e saj për këtë situatë.

Mbi kopshtin e pjeshkës së Parchukashvilit qëndron një kullë vrojtimi që vëzhgon të gjitha lëvizjet në fshatin e saj.

Edhe pse Odzisi është vetëm 30 milje në veriperëndim të Tbilisit, kryeqytetit të Gjeorgjisë, kulla dhe baza ushtarake që e rrethon janë të drejtuar nga ushtarë rusë.

“Natën ne shpesh zgjohemi nga zhurma e makinerive dhe pajisjeve që lëvizin,” tha Parchukashvili.

45-vjeçarja është nënë e tre fëmijëve që punon në një muze.

“Ne po e shohim se çfarë ka ndodhur me Ukrainën dhe situata po bëhet e frikshme dhe e rrezikshme.”

Katërmbëdhjetë vjet më parë Parchukashvili dhe familja e saj u detyruan të iknin nga vendi i tyre, për shkak të tankeve ruse.

Lufta 12-ditore e vitit 2008 u zhvillua midis trupave ruse dhe gjeorgjiane mbi rajonet separatiste të Osetisë Jugore dhe Abkhazisë, të cilat të dyja janë zyrtarisht pjesë e Gjeorgjisë.

Që atëherë, Rusia ka ruajtur kontrollin e rajoneve, të cilat përbëjnë një të pestën e territorit të Gjeorgjisë.

Ndërkohë Irakli Garibashvili, kryeministri i Gjeorgjisë ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Moskës.

Në Khurvaleti, disa milje në perëndim të Odzisit, është vendosur një tabelë në të cilën shkruhet “kufiri shtetëror”.

Në anën e Osetisë së Jugut jeton, Valya Vanishvili.

Në vitin 2008 rusët erdhën dhe vendosën një gardh me tela me gjemba nëpër tokën e saj.

Ndryshe nga mijëra të arratisur, disa prej të cilëve edhe sot e kësaj dite qëndrojnë në kampet e refugjatëve, ajo refuzoi të linte shtëpinë që ajo dhe i shoqi ndërtuan së bashku në 1963.

“Për Ukrainën është njësoj si për ne,” tha Vanishvili, 86 vjeç.

“Rusët vijnë dhe thonë, ‘Kjo është toka jonë tani, ju duhet të shkoni.’ Por ata nuk do të arrijnë të më lëvizin nga këtu .”

Artikulli paraprakVENDIMI I GRUPIT TË PS PËR AQIF RAKIPIN, REAGON GAZMENT BARDHI: EDI RAMA PENG I KRIMIT TË ORGANIZUAR
Artikulli tjetërTËRMET NË BRIGJET E SANTORINIT, JA SA ISHTE MAGNITUDA