Që nga pasditja e djeshme ka nisur puna për hapjen e rrugës Bogë-Qafë Thore e cila është e bllokuar nga bora prej disa ditësh duke qenë një aks i pakalueshëm për mjetet, një situatë që është përsëritur vit pas viti. Të ndodhur në situatë të vështirë kanë qenë banorët e Thethit ata të cilët gjithë këto ditë kanë kërkuar me forcë nga insitucionet përgjegjëse që të bëhet e mundur hapja e rrugës nga bora pasi ishin të izoluar dhe përveç kësaj bllokimi i rrugës dëmton ndjeshëm edhe turizmin malor në alpe.

Ai që ka dhënë lajmin për nisjen e punës për hapjen e aksit Bogë-Qafë Thore është zëvendës kryeministri Erjon Braçe i cili shkruan “Duke çarë borën në rrugën për në Theth. Mjetet e ushtrisë, emergjencës dhe kontraktorëve janë duke çarë borën rrugës për në Theth.

Pra Pavlin, jo vetëm që të dëgjoi kjo qeveri e po investon në rrugën e Thethit duke e ndërtuar atë-tie e di që jemi në punë e sipër por edhe këtë javë të vështirë kjo qeveri po bën gjithçka që banorët në Theth por jo vetëm të kenë mundësi lëvizjeje! Për ndonjë qeveri a bashki tjetër nuk di unë! Dua të falenderoj ministrin e Mbrojtjes, ministren e Infrastrukturës dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit për gjithçka që po bëjnë”, shkruan zv kryeministri Braçe.

Një postim ka bërë edhe Prefektja e Qarkut Shkodër Majlinda Angoni për nisjen e punës për hapjen e aksit Bogë-Qafë Thore ku thuhet se: “Në mbledhjen e Komitetit te Mbrojtjes Civile, me pjesëmarrjen e Ministrit të Mbrojtjes,

Niko Peleshi, Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, Ministres së Energjetikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bagram Begaj, diskutuan mbi situatën aktuale të emergjencës, u diskutua problematika e segmentit të bllokuar Qafthore – Theth.

Ministrja Balluku, në diskutimin e saj ngriti shqetësimin për banorët e Thethit të izoluar nga bora, shqetësim i ngritur dhe më herët, duke kërkuar nga shefi i shtabit Bagram Begaj, dislokimin e një Buldozier për ndihmë në hapjen e rrugës”. Ndërsa vetë prefektja e qarkut Shkodër Majlinda Angoni shkruan se: “Banorët e Thethit nuk do të jenë më të izoluar nga bora.

Në koordinim dhe bashkërendim me gjithë institucionet përkatëse, sot ka nisur puna për zhbllokimin e këtij aksi rrugor, problematikë e ngritur që në krye të herës në tryeza teknike.

Kjo ndërhyrje, në koordinim edhe me banorët e zonës së Thethit i bashkëngjitet investimit për rikonstruksionin e rrugës Qafë Thore-Theth që jo vetëm do t’i jap fund këtij problemi të trashëguar ndër vite por do t’i kthej frymëmarrjen turizmit verior në Theth duke e kthyer atë në model destinacioni turistik.

Mirënjohje për Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Fondin Shqiptar të Zhvillimit, strukturat e ushtrisë, Nikën dhe Pavlinin për çdo gjë që po bëjnë dhe kanë bërë me dashuri për Thethin”. Hapjen e rrugës së Thethit në aksin Bogë-Qafë Thore e bëri të ditur edhe Autoriteti Rrugor Shqiptar i Rajonit të Veriut.