Thirrja e Fleckenstein: Kthehuni! Mos ndaloni Vettingun

Zgjedhjet dhe zbatimi i reformës në drejtësi janë ‘çelësi’ i hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Raporteri dhe eurodeputeti Knut Fleckenstein në një dalje për mediat tha se i ka kërkuar këshillit që negociatat të çelen sa më shpejt që të gjithë të jenë të besueshëm. “Pothuajse të gjitha grupet në Parlamentin Europian përveç ekstremit të djathtë kanë folur për këto gjëra dhe nuk kanë fshehur faktin se ka ende shumë punë për të bërë. Madje kemi bërë thirrje dhe Këshillit në mënyrë të qartë, që në rast se zgjedhjet në Shqipëri do të shkojnë siç duhet, zbatimi i reformës do të vazhdojë atëherë me Shqipërinë duhet të çelen negociatat. Nëse do të bëhen këto dhe çelja duhet bërë tani, në mënyrë që dhe ne të gjithë të jemi të besueshëm”, tha z. Knut Fleckenstein. Fleckenstein tha se nuk dëshiron të komentojë protestën e PD-së që është një çështje e brendshme por u ka kërkuar deputetëve të opozitës të kthehen në Kuvend. “Nuk do të ndërhyj dhe as nuk do të bëj komente për protestën, pasi është një çështje e brendshme. Kjo është e drejta e qytetarëve, e opozitës dhe në veçanti që opozita të tregojë se çfarë kërkon. Por bojkoti i Kuvendit është për mendimin tonë jo mënyra e duhur sidomos përsa i përket zgjedhësve që kanë votuar për deputetët e Kuvendit. Prandaj u kërkoj kolegëve dhe miqve të mi në PD të vazhdojnë atë që mendojnë është e nevojshme, por u kërkoj që të kthehen në punë. Dhe ky nuk është vetëm opinioni i Fleckensterin por dhe i Kukan, eurokomisionerit Hahn, zonjës Mogherini dhe të tjerë”, tha ai.