Një 23-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Shkodër pasi dyshohet se ka thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa disa shtetas të tjerë janë proceduar penalisht për shkelje të ndryshme të ligjit.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër arrestuan shtetasin K. L., 23 vjeç, banues në Shirokë, pasi dyshohet se ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës referuan materialet në Prokurori për shtetasin H. Sh., ndaj të cilit ka nisur procedimi penal për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
Nga ana tjetër, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor nisën procedim penal për tre shtetas. L. H., banues në fshatin Kosmaç, u kap duke drejtuar motomjet pa leje drejtimi, ndërsa K. P., 18 vjeç, banues në fshatin Vrith, u kap duke drejtuar automjet pa patentë.
Po ashtu, Gj. K., 18 vjeç, banues në Shkodër, është proceduar pasi me automjetin që drejtonte ka përplasur një 9-vjeçar, i cili ka pësuar dëmtime në këmbë. I mituri ndodhet në kujdesin e mjekëve dhe fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.
Në një tjetër rast, më datë 12 mars 2026, gjatë transportimit drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës ka humbur jetën shtetasi S. H., 59 vjeç, i cili dyshohet se ndërroi jetë si pasojë e arrestit kardiak. Autoritetet po punojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat e rastit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.

Artikulli paraprakSHKODËR,HIPOTEKA REKORD LEGALIZIMESH PËR 2025
Artikulli tjetërPRAG SEZONI VELIPOJË, INVESTIM NË RRJETIN E ENERGJISË