Pas humbjes ndaj malazezëve të Deçiçit, në Shkodër janë shtuar pakënaqësitë për skuadrën e tyre. Sipas shumë prej tifozëve, nuk është aspak normale një situatë e tillë kur ka mbetur më pak se një muaj nga fillimi i kampionatit, sepse nuk garanton asgjë.   Vërtet skuadra e Vllaznisë nuk ka qenë e plotë në asnjërën prej këtyre ndeshjeve të zhvilluara, megjithatë ky nuk është justifikim.

Në rrjetet sociale madje tifozë të ndryshëm shkojnë edhe më tej, duke kërkuar largimin e stafit teknik. Në fakt, ky i fundit nuk ka dhe aq faj në një situatë të tillë, megjithatë, pakënaqësitë ekzistojnë. Madje, tifozët bëjnë thirrje edhe protesta para Bashkisë, por nuk dihet nëse ajo do të realizohet apo jo. I pakënaqur me skuadrën duket edhe vetë trajneri Zmijani dhe stafi i tij, sepse prisnin gjëra të tjera, ndërsa humbjet ndaj Zetës, Kastriotit dhe Deçiçit i kanë mërzitur jo pak. Jo thjesht nga rezultatet negative të arritura, por më tepër nga mënyra e të luajturit. Pakënaqësi pas humbjes së djeshme kanë shfaqur edhe drejtuesit e klubit, të cilët janë munduar t’ia plotësojnë të gjitha kërkesat stafit teknik për merkaton, por disa nga të ardhurit nuk kanë bindur. Në një situatë të tillë, ende nuk dihet si do të veprohet për të dalë nga kjo situata, kur ka filluar të përflitet mundësia e largimit të dy prej malazezëve të ardhur dhe kjo natyrisht që krijon një gropë edhe më të madhe në skuadër, sepse në këtë periudhë është e vështirë të gjesh lojtarë cilësorë.

Artikulli paraprakLUFTA NDAJ ISIS, TURQIA KËRKON NDIHMË NGA NATO
Artikulli tjetërBRAHIMI : PS MORI VOTA NE BERDICE FALE MEJE