Sfida e dytë kualifikuese e Botërorit 2026 mes Shqipërisë dhe Andorrës nisi me një bojkot nga ana e Tifozëve kuqezi. Pas këndimit të himnit, ata vendosën të braktisnin tribunën pas porte, duke boshatisur stadiumin në një ndeshje të rëndësishme. Në momentin kur po largoheshin nga shkallët e stadiumit, ata kishin edhe një mesazh për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka.

Kjo ishte si një shenjë proteste nga ana e Tifozëve kuqezi ndaj Federatës, për ndalimin e shitjeve të biletave për tifogrupe. Edhe përpara fillimit të ndeshjes, Tifozët kuqezi, të gjithë të veshur me të zeza dhe në heshtje, në marshimin e tyre u ndalën në ambientet e Federatës së Futbollit. Ata, të shoqëruar nga Policia, që garantoi bllokimin e përkohshëm të rrugës, vendosën banerin kundër zhvillimit të Euro 2027 për përfaqësueset e 21-vjeçarëve, si bashkëorganizatorë me Serbinë. Aty shkruhej “Djemtë e zgjedhur të Arbërisë, kundër pazareve në emër të Shqipërisë.”

Më pas, kur grupimi i madh i tifozëve, i organizuar nga mbarë trojet shqiptare, shkonte drejt stadiumit për ndeshjen e Shqipërisë me Andorrën, rojet e sigurisë në Federatë nxituan të largonin menjëherë banerin e protestës. Kjo protestë kundër institucionit të Federatës Shqiptare të Futbollit nga tifozët kuqezi vjen pasi ata nuk kanë arritur të marrin bileta për herë të parë pas 21-vitesh.

Artikulli paraprak“GËRDECI”, SHTYHET SEANCA NDAJ ISH-MINISTRIT MEDIU. ZAMIRA DURDA: KAM 17 VITE QË PRES DREJTËSI
Artikulli tjetër“LUTJA NË KËNGË” NË KISHËN E SHËN FRANÇESKUT