
Një brez i tërë po rritet jo me libra, lodra apo programe televizive, por me algoritme. Gen Alpha, fëmijët që sot janë nën 13 vjeç, po mësojnë botën përmes TikTok-ut, YouTube-it dhe Inteligjencës Artificiale, në një mjedis ku “feed”-i vendos çfarë shohin, çfarë konsumojnë dhe shpesh, si mendojnë. Si po formësohet “ekonomia e vëmendjes”…
Në shtëpitë shqiptare, ekranet janë bërë shoqëruesit e përhershëm të fëmijëve. Një vajzë 12-vjeçare mund të mësojë teknika make-up-i përmes videove 30-sekondëshe, ndërsa një djalë 13-vjeçar mëson për “suksesin” nga influencerë që tregojnë makina luksoze e jetë të përsosur.
Nuk janë më librat, filmat edukativë apo rrëfimet familjare që formojnë shijet dhe ëndrrat e tyre, por përmbajtje të krijuara për të mbajtur vëmendjen sa më gjatë, të projektuara për të krijuar varësi emocionale dhe shpesh për të ushqyer konsum.
Në prapaskenë, funksionon një sistem që nuk fle: algoritmi, që mëson çdo klikim, çdo ndalesë, çdo shikim të përsëritur. Ai përcakton se çfarë video shohim, çfarë muzike dëgjojmë, madje edhe si ndiejmë.
Sa më shumë kohë kalon një përdorues, aq më shumë vlerë krijon për platformën. Kjo është arsyeja pse çdo përmbajtje është e shpejtë, e lehtë për t’u konsumuar, e ndërtuar për të dhënë kënaqësi të menjëhershme.
TikTok, për shembull, është bërë “mësuesi i parë” për miliona të rinj në botë, një mësues pa fytyrë, pa përgjegjësi, por me ndikim të jashtëzakonshëm në mënyrën si ata e shohin veten dhe botën.
YouTube, ndërkohë, është kthyer në një univers paralel. Nga videot e animuara për më të vegjlit, te “vlogjet” e jetës së përsosur për adoleshentët, ai ofron një realitet ku gjithçka është e bukur, e shpejtë dhe e arritshme…në pamje të parë.
Por, pas ekranit qëndron një kurth i heshtur: çdo klikim ushqen një cikël të pafund reklamash, përmbajtjesh të ngjashme, rekomandimesh që rrallë çojnë në mësim të vërtetë, por gjithmonë në më shumë konsum.
Kjo kulturë e menjëhershme po formëson një brez që kërkon gjithçka “tani”: veshjet më të fundit, telefonin e ri, suksesin e shpejtë. Në tregjet shqiptare, kjo reflektohet në mënyrën si fëmijët dhe adoleshentët ndikojnë vendimet e blerjes në familje.
Lodra që bëhen virale në rrjete shiten brenda ditësh. Influencerët po kthehen në forca reale marketingu, duke krijuar valë trendesh që dikur i diktonin reklamat televizive apo modat e huazuara nga jashtë.
Por ndikimi më i thellë është në formimin e identitetit. Në vend që ta ndërtojnë përmes përvojës reale, marrëdhënieve shoqërore apo përpjekjeve personale, fëmijët po e projektojnë veten përmes filtrave, reagimeve dhe pëlqimeve.
“Sa më pëlqejnë?”, “si dukem?”, “sa ndjekës kam?” janë pyetje që për shumë prej tyre kanë zëvendësuar pyetjet që dikur nxisnin mendimin kritik: “çfarë di?”, “çfarë dua të bëhem?”, “çfarë më bën të lumtur?”.
Psikologët paralajmërojnë se kjo zhvendosje po ul durimin, aftësinë për t’u përqendruar dhe gatishmërinë për të përballuar dështimin, sepse algoritmi nuk njeh dështim, vetëm “scroll” të pafund.
Psikologia Ermela Shllaku thotë për “Monitor” se për shkak të moshës, truri i tyre ende nuk ka arritur pjekurinë mendore, ata janë më të ndjeshëm dhe më lehtë të prekshëm ndaj çdo stimuli të jashtëm.
“Në të gjitha këto platforma dhe rrjete sociale, në qendër qëndron algoritmi, i cili në mënyrë të frikshme të rrëmben në vorbullën e tij të shpejtë, duke dhënë kënaqësi të menjëhershme (dhe kështu truri çliron dopaminë).
Por, duke u dhënë fëmijëve kënaqësi të menjëhershme, nuk u zhvillohet aspak durimi dhe aftësia për t’u përqendruar në aktivitete të ndryshme. Në zhvillimin e shëndetshëm të një individi – e sidomos të një fëmije – ka shumë rëndësi edhe zhvillimi emocional”, – thekson psikologia.
Në Shqipëri, situata është më komplekse për shkak të mungesës së edukimit digjital.
Shkollat rrallë ofrojnë programe që shpjegojnë se si funksionojnë algoritmet, si të mbrohet privatësia, apo si të menaxhohet koha online. Shumë prindër ndihen të humbur mes teknologjisë që ndryshon çdo muaj dhe sjelljeve që nuk i njohin dot më.
Ndërsa influencuesit, shpesh të rinj që vetë janë rritur online, po marrin rolin e “udhërrëfyesve” të brezit të ri, duke ofruar modele jete që shpesh janë të shkëputura nga realiteti ekonomik e social shqiptar.
Në këtë tablo, edhe Inteligjenca Artificiale po hyn me forcë. Fëmijët tashmë flasin me “shokë virtualë” që i kuptojnë dhe u përgjigjen, përdorin aplikacione që u mësojnë mësimet, shkruajnë për ta apo u sugjerojnë ide për projekte.
Ndërveprimi njerëzor po zëvendësohet me komoditetin e menjëhershëm të një algoritmi që nuk gjykon, por as nuk edukon emocionalisht.
“Nuk di më ku mbaron argëtimi dhe ku fillon varësia”, thotë J.SH., nënë e dy fëmijëve, 9 dhe 13 vjeç. “Fillimisht më dukej e pafajshme, disa video në YouTube pas mësimeve, ndonjë TikTok për argëtim.
Por gradualisht, çdo pushim, çdo darkë, çdo moment i lirë u kthye në ‘vetëm edhe një video’. Dhe kur përpiqem t’ua kufizoj, reagojnë sikur po u heq diçka jetike”.
Ajo tregon se nuk është vetëm çështje kohe, por çështje ndikimi. “Pas çdo videoje, kanë një kërkesë të re: një lodër që e panë, një bluzë si e influencueses, një aplikacion që ‘duhet patjetër’.
Është sikur algoritmi e di saktësisht se çfarë t’u ofrojë për t’i mbajtur të lidhur dhe për t’i bërë të duan gjithnjë më shumë”. Sot, thotë ajo, sfida më e madhe nuk është ta ndalosh teknologjinë, por ta shpjegosh.
“Përpiqem t’u flas për mënyrën si funksionon ‘feed’-i, pse shohin gjithmonë të njëjtat gjëra, pse çdo gjë u duket e përkryer. Ndonjëherë më dëgjojnë, ndonjëherë jo. Por më frikëson ideja që ndoshta po rriten duke menduar se bota është aq e shpejtë, e bukur dhe e përsosur sa në ekran”, – përfundon J.SH.
Megjithatë, tabloja nuk është vetëm gri. Disa familje shqiptare po tentojnë të ndërtojnë një ekuilibër: rikthimin e leximit, diskutimeve për përmbajtjen që shohin fëmijët, apo aktivitete të përbashkëta që nuk lidhen me ekranin.
Disa mësues dhe ekspertë po nxisin përfshirjen e edukimit digjital në kurrikula, për të mësuar fëmijët si të kuptojnë dhe sfidojnë algoritmet, jo vetëm t’u nënshtrohen atyre.
Edhe në ekosistemin e startup-eve shqiptare po lindin nisma që synojnë ta përdorin teknologjinë për të zhvilluar mendimin kritik dhe kreativitetin.
Aplikacione edukative, platforma për lexim interaktiv apo lojëra që nxisin bashkëpunimin real janë shenjat e para të një kundërkulture që synon ta rikthejë fëmijërinë në duart e njeriut, jo të sistemit.






