Kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, gjatë mbrëmjes së djeshme prezantoi Kryebashkiakun e Natës të Tiranës.

Briken Fejzullahi është emëruar “Kryetari i Natës” për Tiranën, i cili do të merret me organizimin e aktiviteteve në orët e vona. Briken Fejzullai do të ketë për detyrë të promovojë mundësitë që ofron kryeqyteti, jo vetëm gjatë ditës, por edhe në orët e natës. “Siç ndodh në Amsterdam, në Zyrih apo në Londër, ai do të merret vetëm me promovimin e ekonomisë së natës. Kemi premtuar një qytet që punon me tre turne, por edhe që jeton me tre turne. Në shumë prej vendeve të botës ekonomia e natës, pra e festave, e lokaleve, gjeneron pafund të ardhura dhe vende pune kryesisht për të rinjtë, studentët. Ndaj, duam që kjo të ndodhë në mënyrë të përgjegjshme, të ketë një kryebashkiak nate që rri zgjuar në turnin e tretë dhe menaxhon vetëm këto lloj aktivitetesh”, tha Veliaj, duke prezantuar Briken Fejzullain si Kryebashkiaku i Natës për Tiranën. “Deri sot çdo gjë është bërë në mënyrë sporadike. Është një qytet që merr frymë, por siç e shohim ne nuk jeton natën. Bëhet në rang personal por jo në rang qyteti. Kam jetuar 10 vite jashtë dhe jam kthyer sepse kam bindjen që ky vend bëhet. Titulli është shumë i fortë dhe pastaj ta marrësh mikrofonin pas lali Erit e di si është? Do mundohemi të bëjmë më të mirën për atë çfarë na është caktuar të bëjmë”, u shpreh Fejzullahi.

Artikulli paraprakSHBA VRET MBI 100 LUFTËTARË TË AL QAEDA-S NË SIRI
Artikulli tjetërAUTOBUSI PËRFSHIHET NGA FLAKËT, TË PAKTËN 16 VIKTIMA