Tirana nuk ndalet dhe hedh një tjetër hap të sigurt drejt titullit kampion. Gjithçka e lehtë për bardheblutë që kaluan 5-0 transfertën kundër Luftëtarit, duke ruajtur diferencën plus nën pikë në krye të renditjes, kur mbeten vetëm tetë javë nga fundi i sezonit. Nuk kishte histori sfida në Gjirokastër, ku miqtë vranë garën me tre gola që në pjesën e parë. Vangjeli, Kobinah dhe Hasani gjetën rrugën e rrjetës, ndërsa në llogaritë e Tiranës mungon 11-metërshi i humbur nga Ngo.

Gjithsesi, me rikthimin në fushë, të besuarit e Egbo, plotësuan goeladën me Bathën nga pika e penalltisë dhe Dunga. Me këtë fitore, Tirana ruan diferencën me Kukësin, që mundi në kryeqytet 3-1 Partizanin, duke zhytur në krizë kampionët në fuqi. Në limitet e pjesës së parë, Abazaj kaloi miqtë në epërsi, ndërsa pas pushimit autogoli i Boldor ia vështirësoi punën të kuqve. Shanset e të zotëve të shtëpisë për të evituar humbjen u shuan nga Ethemi që thelloi në 3-0 avantazhin e Kukësit.

Vetëm për statistika vlen goli i Solomon, teksa nga kampion, tashmë Partizani e sheh veten në zonën e play-out. Vazhdon serinë pozitive Skënderbeu, që me fitoren 1-0 në fushën e Flamurtarit, ngjitet në vendin e tretë, ndërsa firmos zyrtarisht rënien e skuadrës vlonjate në Kategorinë e Parë. Qëndron në garë për Europën edhe Laçi, pas suksesit 5-2 kundër Vllaznisë, ndërsa Bylis i dha një goditje të rendë Teutës, duke fituar 1-0 me një gol në limitet e kohës së rregullt.