EKSPLOZIVI ËSHTË ÇAKTIVIZUAR MË PAS NGA FORCAT XHENIERE DUKE SHMANGUR PASOJAT. Nje sasi eksplozivi prej  1 kg C4 e vendosur në një biçikletë është gjetur pranë gjimnazit “Petro Nini Luarasi”

rreth orës 04:51 të mëngjesit të sotëm, 12 shkurt 2015. Sipas policise së Tiranes, biçikleta ishte e parkuar pranë pallatit 27 në rrugën ‘Sami Frashëri’, ndersa nuk  dihet pronari i saj. “Lënda plasëse është gjetur në një qese të mbështjellë me natriban dhe jashtë pakos me një fije teli”thuhet në  komunikatën për media te policise. Mësohet se Komisariati numër dy ka marrë informacion në rrugë operative se ishte konstatuar një sasi eksplozivi dhe menjëherë është kontrolluar e gjithë zona. Burime të policisë bëjnë të ditur se bashkë me sasinë prej 1 kg eksploziv C4 ishin të mbështjella edhe 2 kg sfera hekuri dhe gozhdë. Policia çaktivizoi pakon me eksploziv. Kanë qenë banorët e zonës të cilët kanë informuar policinë për praninë e pakos së dyshimtë. Eksplozivi është çaktivizuar më pas nga forcat xheniere duke shmangur pasojat. “Ndërkohë grupi hetimor i përbërë nga ekspertë të Akteve Terroriste dhe Krimet e Rënda, nën drejtimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda po punojnë intesivisht për të zbardhur, dokumentuar dhe identifikuar autorët”theksohet me tej ne njoftimin e policise. Nderkaq  materialet ju referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “Vepra për qëllime terroriste”.