Sherri i djeshëm mes dy mësuesve të shkollës ‘Çajupi’ në Tiranë ka nisur për një vend tavoline në një lokal. Dy mësueset Elida Qenami, 46 vjeç, mësuese Letërsie dhe Domenika Toptani, 53 vjeçe, mësuese Historie, janë zënë fillimisht verbalisht për një tavolinë në lokal në afërsi të shkollës “Çajupi” në rrugën “Kongresi i Manastirit” dhe më pas sherri ka degjeneruar, ku ka përfshirë edhe familjarët e tyre.

Për ngjarjes është arrestuar E.F, 39 vjeç, pasi ka qëlluar në ajër me një armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Ndërsa në hetim në gjendje të lirë janë familjarët E.K, 30 vjeç, E.Q, 41 vjeç, të afërm të mësueses së letërsisë Elida Qenami dhe E.K, 32 vjeç , N.Q, 43 vjeç, L.D, 41 vjeç dhe është shpallur në kërkim A.T, 27 vjeç, të afërmit e mësueses së Historisë, Domenika Toptani

Të afërmit e mësuesve të përfshirë në konflikt kanë përdorur sende të forta dhe karrige gjatë sherrit, ku ka mbetur i dëmtuar E.K, 32 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Në lidhje me ngjarjes Ministria e Arsimit ka pezulluar nga detyra dy mësueset Elida Qenami dhe Domenika Toptani, të përfshira në konflikt.

“Menjëherë pas ngjarjes Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Tiranë ka kërkuar nga Institucioni Arsimor mbledhjen urgjente të komisionit të etikës për vlerësimin e rastit në fjalë.

Dëshirojmë të garantojmë opinionin publik dhe prindërit e nxënësve në veçanti se për çdo punonjës arsimor i cili përfshihet në ngjarje që cënojnë integritetin e profesionit, apo figurën e lartë të mësuesit,

institucionet tona do të veprojnë pa asnjë tolerim, duke u mbështetur në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi” thuhet në njoftimin e ministrisë së Arsimit.