Tjetër rast dhune, Bregu: Gjyqtari la në rrugë nënën me 2 fëmijë

 

Deputetja e PD, Majlinda Bregu ka denoncuar një rast tjetër të mos respektimit të gruas si dhe vendimet e Gjykatave që jepen në një formë jo të drejtë. Në një postim në rrjetin social Facebook, Bregu shkruan se gjyqtari Nazmi Troka ka lënë në mes të katër rrugëve një nënë me dy vajzat e saj 16 dhe 12 vjeçe. Bregu ka treguar historinë e denoncueses, ku pas 15 vitesh martesë, ish- bashkëshorti i saj ka vendosur ta përzejë gruan nga shtëpia së bashku me dy vajzat, pasi pronare e banesës ku ata jetonin ishte nëna e tij. Gjykata e Fierit kishte dhënë urdhër që nëna së bashku me vajzat të jetonin në një kat të shtëpisë 3- katëshe, shtëpi ku gruaja kishte kontribuar për 15 vite resht. Por gjykata e Apelit në Vlorë dhe gjyqtari Nazmi Troka kishte rrëzuar vendimin e Gjykatës së Fierit duke lënë në rrugë nënën me dy vajzat e saj. Bregu shkruan se është e vetëdijshme që në këtë situatë që ndodhet nëna e dy vajzave por edhe si rasti i Liljana Rukajt, gruaja që humbi jetën pasi bashkëshorti i saj e hodhi nga kati i katërt i banesës, ka shumë në Shqipëri. Ajo u premton të gjitha këtyre grave se për secilën prej tyre do të kërkojë sqarime deri në fund, çfarëdo qofshin arsyet, vendime gjykatash apo mosreagim të institucioneve të tjera të ligjit që i detyron të mbrojnë gratë e dhunuara dhe jo t’i dhunojmë më tej ato.

Artikulli paraprakDOPINGU ,1000 SPORTISTË TË PËRFSHIRË NË PROGRAMIM SHTETËROR TË MASHTRIMIT
Artikulli tjetërDY ADOLESHENTË ARRESTOHEN PËR PLANIFIKIMIN E SULMIT TERRORIST