Festa kombëtare e Francës u mbyll tragjikisht. Një kamion hyri përmes turmës në qytetin jugor të Nices duke vrarë të paktën 80 vetë dhe duke lënë dhjetëra të plagosur

. Incidenti ndodhi në bulevardin buzë detit “Promenade des Anglais”, pikërisht në momentin kur po realizohej një shfaqje me fishekzjarre e organizuar nga bashkia me rastin e Ditës së Bastijës. Prefekti i zonës, Sebastien Humbert, tha për televizionin shtetëror francez se shoferi i kamionit u ekzekutua nga policia pas shkëmbimit të të shtënave me armë zjarri. Ndërsa kreu i Këshillit të Qarkut, Christian Estrosi, e cilësoi si një sulm dhe autoritetet i kërkuan banorëve të zonës të qëndronin në shtëpi dhe të mos bënin lëvizje nëpër rrugë përveç forcave policore. Momentin e sulmit dëshmitaret e përshkruan si një moment paniku. “‘Vraponi, vraponi është një sulm’, kjo ishte e vetmja fjalë që dëgjohej”, tha një grua nga vendngjarja për televizionin francez. “Ka shumë gjak nëpër rrugë -tha një tjetër dëshmitare- e vetmja gjë që shohim janë njerëz të dëmtuar rëndë e të shtrirë për toke”. Imazhet e rënda janë përhapur me shpejtësi nëpër rrjete sociale. Thuajse e gjithë Nice është blinduar nga forca të shumta sigurie për t’i garantuar qetësi banorëve të zonës. Ndërkohë që spitalet e qytetit jugor kanë hapur dyert për personat e plagosur. Në çdo 14 korrik, Franca kremton me një paradë simbolike dhe unike festën e saj të pavarësisë, ku këtë vit i ftuar nderi ishte Sekretari i Shtetit, John Kerry. Pikërisht mesditën e së enjtes, Presidenti Hollande deklaroi se nuk ka më arsye që Franca të zgjasë gjendjen e emergjencës, pasi sipas tij, vendi i ka arritur kënaqshëm objektivat e terrorizmit.

Artikulli paraprakMALËSI E MADHE, GJENDET I VETËVARUR 68-VJEÇARI
Artikulli tjetërOBAMA DËNON SULMIN NË NICE: PËRGJEGJËSIT TË VIHEN PARA DREJTËSISË