KALLËZIMI I DOSHI KA TË BËJË ME SHPIFJE NË LIDHJE ME RAPORTIN MJEKËSOR. Deputeti i përjashtuar nga Partia Socialiste Tom Doshi ka kallëzuar në Gjykatën e Lartë Kreun e Komisionit të Sigurisë dhe njëherësh deputetin e LSI Spartak Braho për akuzën e shpifjes.

Lajmi konfirmohet nga burime të sigurta sipas të cilave, kallëzimi i Doshi ka të bëjë me shpifje në lidhje me raportin mjekësor të dorëzuar nga Doshi pranë Këshillit të Mandateve dhe i pretenduar si i falsifikuar nga Braho. Ky pretendim i Brahos, është cilësuar si shpifje nga ana e Doshit, çka e detyruar këtë të fundit që të bëjë edhe kallëzimin penal ndaj Kreut të Sigurisë Kombëtare. Po të njëjtat burime saktësojnë se ditën e sotme në orën 13:00 do të hidhet shorti i gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë për të përcaktuar togat e që do të shqyrtojnë akuzën e Doshit. Më 23 Mars të këtij viti, deputeti i përjashtuar nga PS nuk u paraqit në mbledhjen e Këshillit të Mandateve ku shqyrtohej kërkesa e Prokurorisë për arrestimin e tij, por dorëzoi një raport mjekësor ku pretendonte se nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Por një ditë më pas, Spartak Braho do të deklaronte se Doshi ka paraqitur raport të falsifikuar pasi është lëshuar nga mjeku i cili është bashkëshorti i njërës prej punonjëseve të kompanisë së ish-deputetit socialist.

Artikulli paraprakTRAJNIM ME ROMËT PËR “PRINDËRIMI POZITIV”
Artikulli tjetërSHKODËR, PD PREZANTON PLATFORMËN SOCIALE