Katër shqiptarë kanë përfunduar në prangat e policisë britanike, pasi dyshohet se ishin pjesë e një organizate kriminale ndërkombëtare, të trafikut të qenieve njerëzore.

Arrestimet u bënë gjatë orëve të para të mëngjesit të së enjtes në Luton, në banesat e tyre. Në pranga përfunduan Albert Fikaj, 32 – vjeç, Afrim Sykaj, 41 – vjeç, Qemal Isaj, 35 – vjeç dhe Valmir Sokolaj, 28 – vjeç. Sipas mediave britanike, për 4 shqiptarët kishte urdhër – arreste europiane. Ata dolën para gjykatës së Westminster dhe u lanë në burg, ndërsa pritet që të ekstradohen drejt Belgjikës për hetime të mëtejshme. Katër persona të tjerë mësohet se janë arrestuar gjithashtu në Ghent të Belgjikës, pasi dyshohet se janë pjesë e kësaj organizate kriminale. Grupi ishte i përfshirë në trafikimin e emigrantëve të jashtëligjshëm nga Shqipëria drej Britanisë së Madhe kundrejt pagesës. Ata dyshohet se fusnin rreth 20 emigrantë në Britani çdo javë, me anë të kamionëve.