Trafiku i klandestinëve, arrestohen 8 shqiptarë në Britani dhe Belgjikë

Detektivët britanikë të Agjencisë Kombëtare të Luftës kundër Krimit kanë bastisur disa banesa në qytetin e Lutonit, në veri të Londrës dhe kanë arrestuar 4 shqiptarë të dyshuar se trafikonin emigrantë nga Belgjika në Britani. Katër shqiptarët, të moshave nga 28 deri në 41 vjeç, janë arrestuar në bazë të urdhrave europianë të arrestit. Pjesë e operacionit policor, i cili dukshëm është një bashkëpunim me autoritetet belge, është edhe arrestimi i njëkohshëm i katër shqiptarëve të tjerë në qytetin Gent të Belgjikës, nga Policia Federale belge. Mendohet se ky rrjet i trafikantëve përmes pagesave sillte çdo javë në Britani rreth 20 emigrantë nga Shqipëria. Sipas detektivit Paul Perry, të Agjencisë Kombëtare të Luftës kundër Krimit, NCA, “si rezultat i bashkëpunimit me autoritetet belge, ne arritëm të përcaktojmë vendndodhjen dhe arrestimin e 4 personave që besohet se janë pjesë e një grupi të organizuar kriminal me bashkëpunëtorë të tyre në Belgjikë. Grupi mendohet se janë përgjegjës për trafikimin nga Shqipëria në Britani nga Belgjika, përmes pagesës që u merrnin emigrantëve që më pas transportoheshin drejt Britanisë me maune”, thotë detektivi britanik. Të 4 të arrestuarit kanë dalë përpara Gjykatës së Ekstradimeve, Westmintser Magistrates Court, në Londër dhe pritet të ekstradohen në Belgjikë për hetime të mëtejshme. Prej vitesh, Britania mbetet një destinacion i preferuar i shqiptarëve, të cilët arrijnë një numër të konsiderueshëm, edhe pse autoritetet britanike të emigracionit dhe ato të policisë kanë përshkallëzuar përpjekjet e tyre për frenimin e ardhjeve ilegale.