Linja kryesore e hetimit të aksidentit hekurudhor që i kushtoi jetën 27 personave në Italinë e Jugut është përqendruar mbi gabimin njerëzor.

Ai së bashku me sistemin problematik hekurudhor dhe mungesën e koordinimit ndërmjet stacioneve , bëri që të dy trenat të udhëtonin në të njëjtën shinë deri në momentin tragjik të përplasjes. Një nga një, të afërmit e viktimave u thirrën në morgun e spitalit te qytetit jugor të Barit për të konfirmuar identitetin e tyre. Shumë u larguan mes britmash dhe lotësh. Prokurori Francesco Giannella tha se të paktën një person është duke u hetuar në lidhje me aksidentin dhe se gabimi njerëzor mund te jete shkaktari. Megjithatë, nuk përjashtohen as problemet teknike të ndonjërit prej trenave që u përplasen rreth 15 kilometra në jug të Detit Adriatik, mes Andria-s dhe Corato-s. Ata po udhëtonin me një shpejtësi 110 kilometra në orë. Edhe vonesa e një treni tjetër mund të ketë qenë faktor i përplasjes, pasi treni që udhëtonte nga veriu mund t’i jetë dhënë aksidentalisht “drita jeshile” për të ecur përpara. Por urdhri nuk është automatik, makinistët ende duhet të presin konfirmim nga stacionet përkatëse nëpërmjet telefonit. Paralelisht hetimeve, kryeministri italian Matteo Renzi premtoi se do ta zbardhë çështjen deri në fund. Ai u takua me zyrtarët e rajonit dhe u premtoi atyre mbështetje të plotë.