
Thomas Brdariç e ka ndjekur ndeshjen ndaj Laçit nga tribuna e stadiumit “Loro Boriçi”, duke qenë se ishte i pezulluar për arsye kartonësh. Megjithatë, në fund ai u pa i gëzuar, duke qenë se skuadra e tij e arriti objektivin për të qenë në dy vendet e para të renditjes. Pas ndeshjes, ai dha një prononcim për mediat në lidhje me duelet e gjysmëfinaleve, teksa tregoi edhe disa detaje të tjera që kanë të bëjnë me ecurinë e Vllaznisë.
Brdariç foli edhe rreth mungesave të Stojanoviç dhe Delajt, teksa qendërmbrojtësi serb sipas trajnerit mungoi për arsye dëmtimi, ndërsa mesfushori shkodran ka tre javë që nuk grumbullohet nga tekniku gjermano-kroat.
Tashmë, pasi Vllaznia ia doli të siguronte objektivin e saj të parë, atë të renditjes në dy vendet e para të kampionatit, duke patur si avantazh edhe barazimin për ndeshjet gjysmëfinale të “Final Four”, kuqeblutë duken të vendosur për të tentuar edhe titullin.