
Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë dy ndeshje miqësore ndaj Izraelit me 3-qershor dhe ndaj Luksemburgut me 6-qershor. Trajneri Rolando Maran ka publikuar listën e parë në epokën e tij të re me Kombëtaren e Shqipërisë. Tekniku kuqezi ka grumbulluar 27-futbollistë për dy miqësoret e qershorit, teksa ka dy risi në listë. Për herë të parë me Kombëtaren grumbullohen portieri i Partizanit, Pano Qirko dhe mesfushori i Carrareses, Luis Hasa. Ndërkohë, janë rikthyer në Kombëtare Alen Sherri, Simon Simoni, Andi Hadroj, Taulant Seferi dhe Cristian Shpendi. Nga ana tjetër, mungojnë për arsye dëmtimi Thomas Strakosha, Ernest Muçi, Nazmi Gripshi dhe Rey Manaj. Si portierë janë thirrur Simon Simoni, Alen Sherri dhe Pano Qirko. Ndërkohë, në mbrojtje janë ftuar Mario Mitaj, Elseid Hysaj, Bujar Pllana, Berat Gjimshiti, Naser Aliji, Klisman Cake, Stavro Pilo, Ardian Ismajli, Arlind Ajeti dhe Andi Hadroj. Në mesfushë do të jenë Adrion Pajaziti, Kristjan Asllani, Nedim Bajrami, Qazim Laçi, Juljan Shehu, Anis Mehmeti, Arbër Hoxha, Ylber Ramadani dhe Luis Hasa. Ndërkohë, për sulmin janë thirrur Taulant Seferi, Myrto Uzuni, Armando Broja, Mirlind Daku dhe Cristian Shpendi. Trajneri i ri i Kombëtares, Rolando Maran, në një konferencë për mediat, u ndal te futbollistët e grumbulluar, duke u shprehur se i është referuar listës së madhe dhe duke shtuar se disa prej lojtarëve janë të dëmtuar.
Kombëtarja e Shqipërisë do ta nisë zyrtarisht grumbullimin ditën e hënë, ku do të stërvitet në “Shtëpinë e Futbollit”.






