Vllaznia do t’i rikthehet ndeshjeve të kampionatit teksa do të presë një kundërshtar si Teuta. Trajneri i Vllaznisë Mirsad Jonuz në prag të kësaj përballje shprehet se ka gjetur mënyrën se si të largojë mallkimin brenda fushës ndaj një ekipi si Teuta por edhe mallkimin e humbjeve brenda fushës në përgjithësi.

“Mendoj se kemi nxjerrë mësime nga ndeshjet që kemi humbur në shtëpi dhe mendoj se që nga nesër do e largojmë atë mallkim nga stadiumi edhe ndaj një ekipi si Teuta. Fitorja ndaj durrsakëve na afron në kreun e tabelës nëse e arrijmë por do presim edhe rezultatet e tjera për të parë situatën. Vllaznia mund të bëjë shumë më shumë se deri tani. Këto 90 minuta janë shumë të rëndësishme për ne”.

Trajneri i Vllaznisë Jonuz ka një porosi për futbollistët e tij që të kënaqen në fushën e lojës duke luajtur futboll duke harruar plotësisht presionin.

“Kemi punuar shumë mirë gjatë kësaj periudhe pushimi, kemi punuar me dëmtimet që kanë patur lojtarët dhe tashmë të gjithë janë të gatshëm. Kemi edhe 6 ndeshje në fazën e dytë dhe tashmë i njohim të gjitha skuadrat sepse kemi luajtur me të gjithë dhe mund të them se nga pozitat që jemi tani deri në vend të parë që është Partizani nuk ka ndonjë diferencë të madhe.

Kemi luajtur në Durrës me Teutën dhe kemi marrë pikë edhe pse ishim me 10 lojtarë dhe e njohim mirë Teutën. Jemi përgatitur maksimalisht, kemi folur edhe me lojtarët që nga kjo ndeshje dhe deri në fund të dhjetorit të japin maksimumin dhe që nga ndeshja e fundit me Tiranën kemi filluar të luajmë lojën që unë kërkoj. Loja taktika që kemi kërkuar do fillojë që

ndaj Teutës por kam një porosi për lojtarët që të kënaqen në lojë dhe të mos jenë nën presion dhe që të luajnë futboll sepse kanë kualitete që të fitojnë ndaj secilit kundërshtar. Na mungon një lojtar si Hygor por e kemi gjetur një zgjidhje. Kam një porosi edhe për tifozët tanë besnik, edhe pse në disa raste kemi qenë të dëmtuar, duhet të ndihmojnë skuadrën dhe të mos bëjmë dëme në stadium”.

Vllaznia do të kërkojë një fitore ndaj Teutës çka do të përmirësonte ndjeshëm situatën sa i përket renditjes.