Zgjidhja e konflikteve, paqja dhe edukimi kanë qenë në qendër të një trajnimi të zhvilluar në Shkodër nga kolegji kanadez Selkirk pas një bashkëpunimi me organizatën Intelektualët e Rinj Shpresë.

Instruktor i këtij trajnimi që vijon në Shkodër është profesor Randy Janzen, i cili vjen nga kolegji kanadez Selkirk pas disa eksperiencave edhe në shumë vende të tjera. Kryesisht pjesë e trajnimit janë bërë studentë të degëve të ndryshme të universitetit të Shkodrës. Profesor Janzen tregon arsyet se përse ndodhet në këtë trajnim.

“Jam këtu si rezultat i një bashkëpunimi me Blendi Dibra dhe Intelektualët e Rinj Shpresë për të bërë një trajnim në lidhje me komunikimin, paqen dhe zgjidhjen e konflikteve. Mendoj se edukimi është i rëndësishëm në të gjithë botën dhe duke u edukuar ne mund të mësojmë se si mund t’i zgjidhim konfliktet duke u informuar dhe duke fituar aftësi për t’i zgjidhur ato”. Profesor Janzen tregon se si mund të zgjidhen konfliktet. “Kryesisht konfliktet mund të zgjidhen nepërmjet krijimit të marrëdhënieve, komunikimit, bashkëpunimit dhe nepërmjet dialogut të përbashkët.

Në parim duket e thjeshtë por realisht është e vështirë dhe duhet sa më shumë që të praktikohemi për të arritur në zgjidhjen e konflikteve. Është më mirë të zgjidhësh një konflikt se sa të jetosh me të”. I pyetur për kaosin politik dhe konfliktin e hapur në të cilin ndodhet Shqipëria prej muajsh profesor Janzen sugjeron që të gjitha palët të dëgjojnë jo vetëm kërkesat kryesore apo sipërfaqësore por me rëndësi janë edhe nënndarjet e tyre. “Unë nuk mund të jap sugjerime specifike por mendoj se një sugjerim i mirë do të ishte që të dyja palët, qeveria dhe opozita apo edhe të gjitha partitë ta dëgjojnë njëra-tjetrën dhe jo të dëgjojnë vetëm kërkesat specifike, pra pjesën kryesore por se cilat janë edhe nëndarjet e saj.

Në momentin që dëgjohen edhe nënndarjet apo nënkërkesat që individët, partitë, populli qeveria apo opozita kanë atëherë kupton se ka shumë më shumë se sa thjeshtë maja e atyre kërkesave kryesore”. Trajnimi po zhvillohet në mjediset e hotel “Colosseo” ndërsa do të jetë për 4 ditë me radhë. Në fund pjesëmarrësit do të paisen edhe me një çertefikatë. Ardhja e profesor Janzen është shfrytëzuar për të parë mundësinë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të studentëve mes kolegjit Selkirk në Kanada dhe universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.