
Në kuadër të 10-vjetorit të lumnimit të Imzot Vinçenc Prennushit dhe 37 martirëve të tjerë shqiptarë, në Shkodër u zhvillua konferenca me temë “Trashëgimia shpirtërore dhe intelektuale e Martirëve”. Në hapje të aktivitetit, Arqipeshkvi i Shkodër-Pultit, Imzot Giovanni Peragine, vlerësoi rëndësinë e kujtimit të martirëve dhe përcjelljes së trashëgimisë së tyre ndër breza.
Përmes referimeve të tyre, historiani Romeo Gurakuqi dhe studiuesi Ardian Ndreca sollën në vëmendje veprat, kontributin intelektual dhe trashëgiminë shpirtërore të martirëve të Kishës Katolike.
Një prej figurave që ka dhënë kontribut në procesin e lumnimit të 38 martirëve është edhe Imzot Angelo Massafra, Arqipeshkëv Nderi i Shkodër-Pultit, i cili shërbeu për rreth 28 vite në Shqipëri.
Konferenca ishte pjesë e aktiviteteve përkujtimore të 10-vjetorit të lumnimit të 38 martirëve të Kishës Katolike, të cilët u persekutuan gjatë regjimit komunist në Shqipëri.


