
Tre shtetas kanë humbur jetën sot në plazhet e Shqipërisë, një prej të cilëve në plazhin e Velipojës dhe dy të tjerë në plazhin e Spillesë në Kavajë. Në këtë mënyrë në Velipojë ka humbur jetën 59 vjeçari nga Kosova Hasan Hyseni. 59 vjeçari ndodhej 50 larg bregdetit duke notuar por nuk ka dalë më i gjallë si shkak i një infarkti sipas dyshimeve paraprake që ka pësuar në zemër. Rojet bregdetare mësohet se kanë ndërhyrë me shpejtësi për t’i dhënë ndihmën e parë por ka qenë e pamundur. Në vendngjarje kanë mbërritur edhe mjekët dhe infermierët e qendrës shëndetësore të Velipojës por sërish ka qenë e pamundur që të shpëtohet. Mësohet se 59 vjeçari Hasan Hyseni punonte si polic në Prishtinë dhe kishte ardhur me pushime bashkë me familjen e tij. Ndërkohë gjatë ditës së sotme mjekët e qendrës shëndetësore në Velipojë kanë shpëtuar një 67 vjeçare nga Kosova e cila po ashtu rrezikonte jetën e saj teksa po lahej në det. Ardhja me shpejtësi e stafit mjekësor të qendrës shëndetësore të Velipojës i shpëtoi jetën 67 vjeçares. Ndërkohë dy pushues të tjerë janë mbytur ditën e sotme në plazhin e Spillesë në Kavajë. Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e sotme. Mësohet se këta persona janë nga Maqedonia e Veriut dhe dyshohet se janë mbytur si pasojë e dallgëve të mëdha. Dy të mbyturit raportohet se janë të moshës 79 dhe 78 vjeç me inicialet M.M dhe C.M. Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të “Vrojtuesit të Plazhit dhe Shpëtimit në Ujë”, Gent Lasku dha disa detaje mbi ngjarjen e rëndë në Spille, ku u mbytën 2 pushuesit nga Maqedonia e Veriut. Lasku tha se pushuesit kanë qenë duke u larë në plazhin publik, ku nuk ka pasur vrojtues plazhi. Mes të tjerash ai dha dhe një detaj tjetër për ngjarjen, ndërsa shtoi se dy pushuesve iu bë masazh kardiak, por nuk u bë e mundur kthimi i tyre në jetë. Shkaku i mbytjes ka qenë arresti kardiak. Ndihma e specializuar është dhënë dhe me mjetet më të fundit.. Duhet patjetër një vrojtues plazhi, pasi ata japin ndihme te specializuar, tha Lasku.






