
Një sasi lënde shpërthyese është vendosur në hyrjen e një banese në fshatin Rrilë të Lezhës, duke shkaktuar dëme të shumta materiale. Objekt i sulmit ka qenë shtëpia e Tom Çungut, ndërsa shpërthimi është regjistruar rreth orës 02:30 pas mesnate.Megjithëse zhurma është dëgjuar nga banorët e zonës, askush nuk ka dyshuar se bëhej fjalë për eksploziv të vendosur pranë banesës. Policia është njoftuar vetëm katër orë më vonë nga kompania private që kishte në ruajtje objektin.
Në momentin e shpërthimit në banesë nuk ndodhej asnjë person. Familja Çungu jeton prej më shumë se dy dekadash në Itali, ndërsa shtëpia ishte ndërtuar së fundmi.Shpërthimi ka dëmtuar pjesën hyrëse dhe ambiente të brendshme të banesës. Zona ku ndodhet objekti nuk monitorohet nga kamera sigurie, çka po e vështirëson hetimin.
Sipas burimeve hetimore, dyshohet se autorët janë afruar përmes rrugëve dytësore, pasi nga verifikimet e deritanishme në kamerat e aksit kryesor hyrës nuk janë konstatuar lëvizje të dyshimta në orarin e shpërthimit.
Deri tani, nga hetimet paraprake nuk rezulton që familja Çungu të ketë pasur konflikte apo precedentë problematikë dhe motivet e këtij atentati me lëndë shpërthyese mbeten ende të paqarta.


