Ky është lokali i policit të Shkodrës Ndrek Rrasa të cilit iu vendos një sasi tritoli në oret e para të mëngjesit të sotëm. Kamerat e sigurisë kanë kapur momentin kur një person ende i paidentifikuar fillimisht i vë flakën furgonit të policit Ndrek Rrasa dhe më pas vendos edhe sasinë e tritolit që shpërtheu tek lokali në fshatin Grudë e Re të njësisë Rrethina, në afërsi të banesës së efektivit të policisë. Shtetasi Ndrek Rrasa ka qenë në shërbim turn i tretë si patrullë me forcat e rendit kur është njoftuar nga djali i tij për ngjarjen e ndodhur. Nga ky shpërthim dhe djegia e furgonit nuk ka të lënduar por vetëm dëme të konsiderueshme materiale.

Në orën 2:30 të mëngjesit kur ndodhi shpërthimi në vendngjarje mbërritën forcat të shumta policie duke nisur hetimet për zbardhjen e plotë. Efektivi Ndrek Rrasa ka deklaruar se nuk ka konflikte me ndonjë person dhe nuk e ka idenë se kush mund t’ia ketë vënë tritolin. E vetmja gjë për të cilën dyshon ky shtetas është për shkak të detyrës. Ndrek Rrasa kishte vetëm një muaj që shërbente si patrullë me forcat e rendit në Shkodër ndërsa më përpara ka qenë si operativ zone në njësinë Shalë në Dukagjin.

Në këtë mënyrë efektivi i policisë e lidh ngjarjen e sotme me kohën kur shërbente si polic në Dukagjin për shkak të parcelave të drogës të zbuluara nga ana e uniformave blu, operacione në të cilat ka marrë pjesë edhe Ndrek Rrasa si polic i zonës. Ky është rasti i tretë në pak kohë ku efektivë policie të Shkodrës sulmohen në këtë mënyrë. Më përpara është djegur mjeti i efektivit të policisë Dritan Turhani më 28 prill në lagjen “Daniel Matlija” ndërsa më 14 maj iu vendos flaka automjetit të efektivit tjetër të policisë Sokol Kroni,aktualisht polic në zonën e Dukagjinit për të ardhur deri tek rasti i sotëm i efektivit Ndrek Rrasa, të gjitha ngjarje pa autor deri më tani.

 

Artikulli paraprakSHKODËR, 3 VITE NGA VENDOSJA E MEMORIALIT TË PERSEKUCIONIT
Artikulli tjetërSHKODËR, DITËT E QËNDRESËS, “SHOW ME PERSEKUCIONIN”