Një shpërthim me tritol tronditi Lezhën mëngjesin e kësaj të diele. Lënda plasëse iu vendos automjetit të një punonjësi policie, por fatmirësisht nuk pati persona të lënduar. Makina tip “Volkswagen Golf 5”, në pronësi të agjentit të krimeve në Policinë e Lezhës, Gent Gjetja, ishte i parkuar në lagjen “Besëlidhja”, në afërsi të gjimnazit të qytetit, kur iu vendos lënda plasëse. Shpërthimi ndodhi rreth orës 05:55 dhe shkaktoi vetëm dëme materiale në pjesën e përparme të automjetit.

Në lidhje me ngjarjen, policia nisi menjëherë hetimet, ku po punohet për identifikimin e autorit apo autorëve, si dhe për përcaktimin e llojit dhe sasisë së lëndës shpërthyese. Grupi hetimor po analizon kamerat e sigurisë së bizneseve në zonë për të parë lëvizjet para dhe pas ngjarjes, çka mund të ndihmojë në zbardhjen e saj.Ndërkohë në dëshminë e tij të dhënë për grupin hetimor, 41-vjeçari Gent Gjetja ka deklaruar se nuk ka konflikte.

Dyshimet janë se sulmi me tritol ndaj automjetit të punonjësit të policisë mund të ketë ndodhur për shkak të detyrës që ai ushtron prej vitesh në sektorin e krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë.

Artikulli paraprakPROTESTA NË RRJOLL,PROCEDOHEN 3 SHTETAS
Artikulli tjetërBESËLIDHJA NUK NDALET, MUND EDHE SUEDEZËT E KARLBERGS BK