Policia e Shkodrës ka ngushtuar rrethin e pistave të hetimit për tritolin që rrezikoi familjen e shtetasit Mark Lazër Marku në fshatin Guci e Re të njësisë Rrethina në Shkodër.

Policia pasi ka marrë në pyetje mbi 10 persona për këtë çështje ka arritur që të ngrijë dyshimet kryesore se shpërthimi i tritolit në ndërtesën 3-katëshe të familjes Marku mund të ketë ardhur për shkak të një konflikti pronësie. Ende hetimet mbesin në kuadrin e dyshimeve duke qenë se në lidhje me këtë ngjarje informacioni edhe nga vetë familja Marku është tejet i rezervuar. Bëhet fjalë për një çështje pronësie në fshatin Prekal të njësisë Pult në Dukagjin ku ka jetuar para shumë vitesh familja e Mark Markut. Prej disa kohësh një pronë atje pretendohet se është e familjes Marku ndërsa ka pretendime edhe nga një familje tjetër e zonës për pronësinë. Burimet policore janë të rezervuara duke qenë se ende nuk është arritur të gjendet ndonjë provë për të ngritur dyshim të arsyeshëm se shpërthimi i tritolit ka ardhur për shkak të konfliktit të pronësisë në Prekal. Megjithatë policia pasi ka pyetur anëtarët e familjes Marku por edhe palën tjetër nuk ka arritur që të marrë ndonjë dëshmi të vlefshme që çon dhe hap dritën jeshile për zbardhjen e ngjarjes. Personat e pyetur kanë mohuar se kanë lidhje me tritolin e vendosur ndërsa edhe shtetasi Mark Marku ka mohuar se ka konflikt me ndokend. Në orët e vona të 4 shkurtit në shtëpinë 3-katëshe të Mark Lazër Markut shpërtheu një sasi tritoli e ndarë në tre thasë të ndryshëm ndërsa brenda shtëpisë ndodhej bashkëshortja e tij me vajzën dhe nipin e vogël. Nga shpërthimi nuk pati lëndime në njerëz por vetëm dëme materiale. 

Artikulli paraprakGODINA E ISH KOMUNËS GURI I ZI NË RIKONSTRUKSION
Artikulli tjetërDEKRIMINALIZIMI, DY KËSHILLTARËVE I HIQET MANDATI