
Çiklistët e Vllaznisë vijonjnë të kryesojnë në pjesëmarrjen e tyre në aktivitete të ndryshme duke u kthyer në qytetin e Shkodrës si triumfues. Pas Kosovës shkodranët kanë bërë një paraqitje pozitive edhe në trofeun “Korça” në të cilin kanë marrë pjesë.
Është zhvilluar etapa e tretë dhe e fundit për këtë trofe, i organizuar nga Bashkia Korçë në bashkëpunim me Sport Klub Skënderbeun dhe Federatën Shqiptare të Çiklizmit. Karakteri i kësaj etape ka qenë kryesisht malor, duke e bërë edhe më interesante garën e cila është dominuar nga çiklistët shkodranë.
Gjatë saj, ka patur shkëputje të dy çiklistëve kuqeblu, fillimisht e Sion Gjokës dhe më pas Gjergj Zefit. Të dy ata janë bashkuar duke pedaluar fort drejt mbërritjes dhe duke krijuar një diferencë me pjesën tjetër të çiklistëve pjesëmarrës.
Nga ana tjetër, Bruno Kola ka arritur edhe ai të shkëputet nga grupi i madh i çiklistëve duke ndjekur kështu dy shokët e tij të ekipit. Gjoka dhe Zefi kanë mbërritur të parët në vijën e finishit.
I pari që e ka prekur atë ka qënë Sion Gjoka që është shpallur edhe fitues i kësaj etape. Në vend të dytë është renditur Gjergj Zefi ndërsa i treti ka ardhur Bruno Kola.
Pjesa tjetër e çiklistëve mbërritën disa minuta më vonë çka tregoi diferencën e sportistëve të Vllaznisë edhe në këtë garë duke u shpallur fitues të saj.
Në këtë mënyrë edhe trofeu “Korça” u shoqërua me një dominim të sportistëve kuqeblu të cilët tashmë do të përgatiten për garat e Kampionatit Kombëtar që zhvillohen në fillim të muajit korrik.


