JANË TË ZËNA ME SHKURRE, BANORËT E ZONËS ANKOHEN. Qytetarët në lagjen “Mark Lula” thuajse kot paguajnë taksat për gjelbërimin dhe pastrimin sepse ky shërbim nuk i ofrohet. Trotuaret në një pjesë të asaj lagjeje janë të zëna në shumë pjesë me shkurre që pengojnë kalimin e këmbësoreve. Disa herë qytetarët, të moshuar por edhe fëmijët detyrohen që të ecin në mes të rrugës si shkak i mospastrimit në trotuare.

Si shkak i pamundësisë për të kaluar në trotuare ka patur edhe aksidente. Një banore e lagjes “Mark Lula” tregon se si është aksidentuar djali i saj. Edhe kur bëhet pastrimi, nuk respektohet asnjë kriter si në këtë rast kur mbeturinat kapen me duar. Jo vetëm se trotuaret nuk pastrohen por edhe pusetat në shumë vende qëndrojnë pa kapakë çka për banorët aty janë një rrezik i përhershëm. Lagja “Mark Lula” gjëndet në periferi të qytetit të Shkodrës dhe mbase kjo është edhe arsyeja e neglizhencës së Bashkisë. Gjithsesi është një lagje e qytetit si gjithë të tjerat ku Bashkia e ka për detyrë të ofrojë shërbimin e pastrimit përderisa vjelin rregullisht taksat.