Të kalosh në trotuaret e qytetit të Shkodrës çdo ditë e më shumë po bëhet më e vështirë.

Nëse në qendër të qytetit apo rrugët kryesore afër qendrave janë të zëna nga tavolinat e lokaleve, tregtarë të ndryshëm apo edhe subjekte të ndryshme, ndryshe ndodh në pjesët periferike të qytetit. Në trotuaret e zonës së ish-fermentimit trotuaret janë të aksesueshme nga qytetarët por jo plotësisht. Qartazi në të dy anët e rrugës vendet ku ecin kalimtarët janë të zëna me barishte që në pjesë të ndryshme kanë arritur deri në disa metra. Po ashtu nuk mungojnë as papastërtitë apo pse jo edhe grumbuj intertesh e mbetje të tjera. Në atë aks rrugor shpejtësia e mjeteve motorike është e madhe për shkak të hapësirës dhe një trafiku jo të rënduar gjë e cila shton rrezikun për aksidente në rastet kur kalimtarët apo më shumë ata që ecin në biçikletë duhet të lënë trotuarin dhe të zbresin në rrugë. Nga një vëzhgim në vetëm pak minuta nuk është e vështirë të kuptohet se atje shërbimi i pastrimit dhe gjelbërimit është inekzitentë. Natyrisht që qytetarët paguajnë taksa bashkisë Shkodër edhe për atë pjesë për ta pastruar dhe gjelbëruar por taksat e tyre nuk janë kthyer në një shërbim të mirë dhe efiçent për ta. Trotuaret në dy anët e rrugës janë lënë në harresë dhe askush nuk ka menduar që të paktën t’i pastrojë në mënyrë që qytetarët e atyre zonave të kenë lehtësi në lëvizje. Jo vetëm se janë lagje të mbipopulluar me shumë banorë por gjithashtu atje ndodhen disa fabrika të ndryshme dhe përshkohen një numër i madh punëtorësh. Imazh i qytetit të Shkodrës dhe pjesë të saj janë edhe zonat periferike për të cilat vëmendja dhe kujdesi pothuajse nuk ekziston.

Artikulli paraprakUJËRAT E ZEZA NË LIQEN, RREZIK EPIDEMIE
Artikulli tjetërNDOTJA E PËRROIT NË GUR TË ZI, RREZIK EPIDEMIE PËR BANORËT